Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Prizreni.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në pronë.
“Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, prezantuam ekipin tonë të fortë për Kuvendin e Kosovës: Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj. Bashkë me ta, do t’i japim fund vuajtjes së qytetarëve për ujë të pijshëm me ndërtimin e digës së Manastiricës, do ta funksionalizojmë zonën industriale dhe do ta mbrojmë trashëgiminë historike të Prizrenit. Do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në pronë”, u shpreh Haradinaj.











