LAJME

Ramush Haradinaj kërkon mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Ramush Haradinaj kërkon mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Shtator 2023, 11:12

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke thënë se kjo është forma e duhur për të nxjerr Kosovën nga drejtimi i gabuar.

“Nëse ne e heshtim këtë situatë në vazhdimësi, parlamenti, deputetët dhe jo vetëm opozita, për fat të keq ne po bëhemi bashkëpjesëmarrës të përkeqësimit të mëtejmë të gjendjes në vend. Dita e sotme kur Kosova si palë ulet në tavolinë si e ndëshkuar paraprakisht, duhet të na jep alarmin që duhet të bashkojmë votën në mocion të mosbesimit për Qeverinë Kurti. Ta nxjerrim Kurtin, ta nxjerrim Kosovën nga drejtimi i gabuar”, ka thënë Haradinaj.

Tahiri për rastin Dehari: Zhdukja e mostrave produkt i qeverisjes suaj

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës është përmendur edhe çështja e humbjes së mostrave të Astrit Deharit, të cilën e hapi si temë deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri. “Produkt i qeverisjes suaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit. Kjo është e patolerueshme se si heshtni ju dhe merrni mbështetje nga keqbërësit, kryesit e kësaj vepre”, tha ai në seancën e nisjes së sesionit të vjeshtës. Tutje Tahiri duke listuar disa çështje shtroi kërkesën e subjektit të tij politik që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Seanca e Kuvendit nis me nderim të viktimave në Marok e Libi

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Marok dhe përmbytjeve në Libi.

Kuvendi nisi punën, sesionin e vjeshtës, ku u miratuan procesverbalet e mbajtura në seancat e kaluara në sesionin pranveror, për të vazhduar me pikën e parë që ka të bëjë me deklarimet jashtë rendit të ditës, e ku fjalën e mori deputeti nga radhët e LVV-së, Ardian Gola, i cili foli për “Lojërat Mesdhetare” që do të mbahen në Kosovë, më 2030.

“Ky votim me 55 vota pro 8 kundër e 3 vota të pavlefshme, nuk ishte vetëm dhënie e të drejtës për të organuzuar një ngjarje më të madhe sportive në vend të mbajtur ndonjëherë, por ishtë një përmasë e re ndërkombëtare që i jeptet Republikës së Kosovës, sidomos në kuptim të faktorizimit dhe fuqizimit të mëtejmë ndërkombëtar”, deklaroi, ndër të tjera, deputeti Gola.

Do theksuar se deputetët e Listës Serbe janë rikthyer në Kuvend në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor pas një mungese prej gati pesë muajsh. Por rikthimi i tyre është bërë vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit. Menjëherë pas fillimit të seancës ata janë larguar. Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika