LAJME

Ramdan Braliu: LVV pritet të ruajë epërsinë elektorale, opozita ende pa alternativë bindëse

Ramdan Braliu: LVV pritet të ruajë epërsinë elektorale, opozita ende pa alternativë bindëse
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Qershor 2026, 09:39

Analisti politik Ramdan Braliu vlerëson se, bazuar në trendet zgjedhore të viteve të fundit, mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të mbetet në një nivel të lartë dhe relativisht të qëndrueshëm, ndërsa partitë opozitare kanë shënuar rritje më të ngadalta dhe ende nuk kanë arritur të ofrojnë një alternativë bindëse për shumicën e elektoratit.

Sipas Braliut, projeksioni më realist për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026 e vendos LVV-në në intervalin prej 49 deri në 52 për qind të votave. Ndërkaq, PDK-ja pritet të sigurojë rreth 20 deri në 23 për qind, LDK-ja nga 13 deri në 16 për qind, ndërsa AAK-ja nga 4.3 deri në 5.3 për qind të votave.

Ai thekson se përqindja e pjesëmarrjes në votime do të jetë faktori vendimtar për rezultatin e AAK-së dhe kalimin e pragut zgjedhor.

Braliu argumenton se ky projeksion mund të shpjegohet përmes pesë teorive të njohura politike dhe sociale. Sipas tij, teoria e racionalitetit të kufizuar tregon se shumica e votuesve nuk analizojnë në detaje programet politike, por mbështeten te partitë dhe liderët që njohin më mirë.

Po ashtu, teoria e identitetit social sugjeron se një pjesë e madhe e votuesve e konsiderojnë përkrahjen ndaj një partie si pjesë të identitetit të tyre politik, duke e bërë më të vështirë ndryshimin e preferencave elektorale.

Analisti thekson se edhe arsyetimi i motivuar luan rol të rëndësishëm, pasi mbështetësit e secilës parti priren t’i interpretojnë zhvillimet politike në mënyrë që të përforcojnë bindjet ekzistuese. Ndërkohë, teoria e kornizimit (framing) tregon se mënyra se si partitë i paraqesin ngjarjet dhe sfidat politike ndikon ndjeshëm në perceptimin e qytetarëve.

Sipas Braliut, edhe teoria e votimit retrospektiv ndihmon në shpjegimin e situatës aktuale politike, pasi qytetarët e vlerësojnë qeverinë bazuar në performancën e saj, por ky efekt zbehet kur opozita nuk perceptohet si një alternativë më e besueshme.

“Pikërisht kombinimi i këtyre faktorëve shpjegon pse, pavarësisht pakënaqësive të caktuara, LVV vazhdon të ruajë një avantazh të konsiderueshëm elektoral në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026”, vlerëson Braliu.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika