Doza e tretë dhe ajo përforcuese, është mënyra e vetme për ta luftuar variantin e ri të COVID-19, të quajtur Omicron, ka thënë infektologu kosovar, Hamdi Ramadani.
Në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së, Ramadani ka thënë se vetëm dy doza të vaksinës nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj variantit të ri, derisa ka kritikuar qytetarët dhe bizneset për mosrespektim të masave anti-COVID që janë në fuqi.
“E keqja e madhe është se e sulmon edhe personin me dy doza të vaksinës COVID-19, dhe edhe masat nuk janë duke u përfillur në masën që ato duhet të respektohen me përpikëri, që të mbrohemi nga pandemia, veçanërisht në hapësira të mbyllura. Nuk po respektohet as distanca. Vetëm doza e tretë ose doza përforcuese, mendoj se është mjeti dhe rruga e arma e vetme për ta luftuar ose mundur edhe variantin më të ri të COVID-19, Omicron”, ka thënë Ramadani.





