Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka një makth dhe ai makth është Kosova. Në një intervistë për “Turkiye Today” të enjten, Rama ka konsideruar se pretendimet e Vuçiqit mbi aleancën ushtarake Shqipëri – Kosovë – Kroaci janë të pabaza.
Gjithashtu, Rama e hodhi poshtë idenë e Vuçiqit se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke përmendur një projekt të vonuar restaurimi të një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet në Shqipëri nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA). Sipas tij, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, xhamia do të ishte rikonstruktuar që tre vjet më parë.
“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund të shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku” – ka thënë Rama duke iu përgjigjur një deklarate të tetorit të vitit të kaluar të Vuçiqit, i cili akuzoi Turqinë se “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger te Kosova. Më vonë, ai akuzoi gjithashtu Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara se armatosin Kosovën, duke e portretizuar atë si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe integritetin e saj territorial”.





