Testimi i së premtes i unazës qendrore në kryeqytet ka shkaktuar një tollovi të madhe dhe radhë të gjata të automjeteve. Qytetarët janë shprehur të revoltuar nga pritjet dhe kolonat e gjata, por këto kolonat i provoi edhe vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka thënë se testim i sotshëm ka ndodhur për shkak që të premteve kryeqyteti është më i ngarkuar me vetura, andaj ka qene i nevojshëm për të shikuar dhe kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.
“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobiliet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën, të dielën, faktikisht kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke ‘incinzuar’ edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, ka thënë Rama.





