Në Qendrën e Vaksinimit në Kukës, gjatë ditës së sotme ka filluar vaksinimi i 250 punonjësve shëndetësorë të Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në vizitën që ua bëri në këtë qendër premtoi se do të bëjnë vaksinimin edhe të punëtorëve të tjerë shëndetësorë, në rast se Kosova nuk arrin të sigurojë vaksinën anti-COVID.
“Ne do bëjmë prapë, pa diskutim që do i bëjmë si duhet të gjitha. Presim sasi tjetër të madhe, sapo ta marrim do ta shohim”, tha ai duke sqaruar se pse nuk kanë mundur që t’i transportojnë këto sasi të vaksinave në Kosovë. Jemi gati të bëjmë dhe më shumë por për momentin është e rëndësishme që të fillojmë me bluzët e bardha pasi aty është rreziku kryesore. Qysh në momentin e parë që kemi filluar ne kemi kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë, i kemi thënë që jemi gati. Problem është që kompanitë nuk lejuan transportimin e vaksinave që ta marrim e ta nxjerrim diku tjetër, por kjo është si në Kosovë, pra jemi në Kukës”, ka bërë të ditur Rama.
Ndër të tjera ia ka thënë se ne vazhdojmë, e jemi një.
“Ne vazhdojm e jemi një. Kaq e thjeshtë është kjo punë, e ardhmja dihet se cila është. Mirë se keni ardhur ne do të bëjmë gjithçka deri në fund e nuk do ta lëmë më kaq”, tha kryeministri Rama.
Gjithashtu Rama ka reaguar edhe pas publikimit të hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë nga presidenti serb Aleksandar Vuciq, duke thënë se “Ajo është një hartë leshi, nga shoku i Beogradit”.
Ndërsa, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla ka uruar që shumë shpejt Kosova të sigurojë vaksinat.
“Më lejoni nga zemra dhe thellësia e shpirtit të shpreh falënderimin për kryeministrin Rama dhe të gjithë popullin shqiptar që sot filluam edhe ne më në fund vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë të Republikës së Kosovës. Si i vetmi vend i cili ka qenë pa vaksinë. Nuk do e zgjati shume sepse emocionet po e bëjnë te vetën dhe me i pa këto fytyra kaq të gëzueshme sot që po e marrin vaksinën. Falënderimi ynë shkon se të jetë një mësim se ne mundemi së bashku. Dhe vëllai valluan nuk e len. Zotëri Rama ju sot keni dhënë një mesazh të qartë se si bëhet një shtet”, tha ai.
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar në ditët në vijim se do të vazhdohet edhe me 250 mjekë të tjerë./Indeksonline/