Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të mirat seç kanë qenë ndonjëherë, por theksoi se mbyllja e dialogut mes dy vendeve do të ishte mbyllja e një kapitulli konfliktesh në rajon.
Duke folur në Forumin Ekonomik “Delphi 2023, world affairs” që po mbahet në Greqi, Rama tha se i gjithë Ballkani Perëndimor gjendet në një situatë shumë më të mirë për shkak se shtetet i flasin njëra-tjetrës, ndryshe nga vite më parë.
“Dialogu Kosovë-Serbi do thosha është çështja që mbetet ende çështje e madhe dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë, një kapitull të shumë kapitujsh gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike. Megjithatë, edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë aq të mira sa janë aktualisht. Pra, janë marrëdhënie shumë të mira krahasimisht saç kanë qenë këto marrëdhënie më përpara. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë për të ndryshuar këtë marrëdhënie”, deklaroi Rama.





