“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam palë, dhe si palë unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë të çojnë përpara dialogun, ashtu siç ata e mendojnë të arsyeshme”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit me presidentin e Francës, Emanuelle Macron.
Tiranë, 22 mars – Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga temat e diskutimit në takimin mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Francës, Emanuelle Macron. Pas takimit që u mbajt të hënën në Paris, shefi i Qeverisë shqiptare ka deklaruar se, mesh të tjerash, kanë diskutuar gjerë e gjatë për situatën në rajon, në ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit rajonal dhe për tema të tjera, që kanë zënë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë.
Rama u ka thënë gazetarëve në Paris se nuk do të jetë ai ndërmjetësi mes Kosovës dhe Serbisë për të përafruar qëndrimet e tyre, pasi sipas Ramës ai ishte palë në këtë rast.
“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam palë, dhe si palë unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë të çojnë përpara dialogun, ashtu siç ata e mendojnë të arsyeshme. Natyrisht, me gjithë mbështetjen time dhe të Qeverisë, sot dhe nesër, në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme për si të arrijmë tek qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama ka treguar gjithashtu se në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale dhe ecuria e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tri projekteve të rëndësishme në Shqipëri, mes tyre përmbylljen e investimeve tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar 24 orë ujë pa ndërprerje për këtë qytet.
“Ishte një ftesë e presidentit Macron me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar. Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tri projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund, edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ia kërkova dhe presidenti e mori pas tërmetit”, ka bërë të ditur Rama.
Ai ka përmendur edhe një financim tjetër për sistemin elektroenergjetik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat së bashku me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.
“Njëkohësisht folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania ‘Voltalia’ po investon për Parkun më të madh fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta dhe po ashtu edhe në një apo dy projekte të tjera me rëndësi. Kemi folur për planin evropian të investimeve për Ballkanin që është tanimë një plan i financuar dhe ku ne jemi aktivisht të angazhuar për të marrë financime për disa projekte të rëndësishme me impakt kombëtar dhe rajonal në transport, në infrastrukturë dhe digjitalizim”, tha pas takimit Edi Rama.
I pyetur nëse ka marrë sinjale sa i përket procesit të integrimit, Rama tha se është një proces që vazhdon.
“Unë e kam thënë dhe e përsëris që s’ka asnjë sekret. Është sekreti më i madh publik, nëse mund ta themi, që ne i kemi bërë detyrat tona dhe gjithçka do të varet nga situata brendapërbrenda Këshillit Evropian dhe nga dinamikat brendapërbrenda vendeve të BE-së. Kështu që kjo është një gjë e ditur dhe s’ka nevojë për t’u zgjatur në këtë”, ka theksuar Rama.