Dështim monumental në nivel ndërkombëtar e ka quajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Gjykatën Speciale të Kosovës, të bazuar në raportin e raportuesit Dick Marty, 11 vjet më parë. Në fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Rama e ka quajtur këtë raport një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar në nivel botëror.
“Më 2011, Asambleja e Këshillit të Evropës miratoi një raport të përpiluar nga një europarlamentar i zellshëm, Dick Marty, e ku akuzohej UÇK-ja për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty do të duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës. E ju, shumë, aso kohe i besuan. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe të ngritjes së Dhomave të Specializuara të Gjykatës për Kosovën. Po kështu u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 vjetëve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar. Por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund, në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve”, ka thënë Rama.
Ai ka vazhduar duke thënë se një nga ata që u arrestua nga Specialja është ish-presidenti Hashim Thaçi.





