Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar Këshillit të Evropës duke thënë se duhet ta heqin raportin e vitit 2011 të Dick Martyt, në të cilën u ngritën akuza për trafikim të organeve njerëzore nga UÇK-ja në Hagë, pasi një raporti i tillë, siç thotë Rama, ka qenë i sponsorizuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Në takimin me liderët e KiE që po mbahet në Islandë, Rama ka ngritur paralele mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ndërsa akuzat për trafikim organesh ka thënë se janë tërësisht të pabazuara.
“Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfimin jo fort të këndshëm. Si shqiptar është e pamundur të shmang heqjen e paraleles mes Ukrainës e Kosovës, mes Zelenskyt e Thaçit. Në këtë samit, nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në KiE. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u pritën si pikënisja e një fushate njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e botës demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2011 i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga presidenti Putin. Akuza të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale që njollosi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, m’u duk sikur pash presidentin Zelensky të gjykuar 10 vjet më vonë nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi akuza absurde”, ka thënë Rama para liderëve evropianë të mërkurën.





