Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për KDP ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëveshjen që është arritur gjatë muajit mars në Ohër.
Kur ka folur për Asociacionin, Edi Rama ka thënë se është një marrëveshje e nënshkruar dhe ka një rëndësi të veçantë për arsye se është maksimumi që Kosova mund të bëjë në adresim të Serbisë. Kur e ka thënë këtë, Rama ka shtuar se ky është minimumi që Kosova duhet të bëj, meqë deri dje askush nuk e çonte në mend që Kosova mund të ishte e pavarur.
Kur ka folur për vijat e kuqe të Kurtit dhe Vuçiqit, Rama ka thënë askush se kishte menduar që Albin Kurti do të ulej në tavolinë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic. Kur e thotë këtë, Rama përjashton veten meqë thotë se e kishte menduar që një gjë e tillë do të ndodhte.
“Mirë, mirë, dakord. Tani, do t’i përmendin të gjitha, por problemi është që thelbi është i përmirësuar ndjeshëm. Kush e mendonte deri dje që Albini do të ulej me Presidentin e Serbisë? Askush! Ndoshta, përveç meje! Dhe, unë e kam menduar që kjo do të ndodhte. Se si dhe kur do të ndodhte, sepse s’ke ku shkon. Domethënë, këto idetë ekstravagante me kthim kurrizi në një botë që është gjithnjë më shumë e lidhur në mes të Europës dhe me aleatët dhe me partnerët që ne kemi, ne dhe Kosova, nuk janë funksionale. Janë funksionale në opozitë, po nuk funksionojnë kurrë kur ti je duke qeverisur”, ka shtuar tutje Rama.
Rama në këtë intervistë e ka pranuar se nga Beogradi ia kanë thënë që Serbia më lehtë do ta pranonte që Kosova t’iu bashkohej Shqipërisë sesa që ta njihte Kosovën si shtet të pavarur, megjithatë potencon se Serbia s’ka ku shkon pa e pranuar që Kosova është një realitet i pakthyeshëm, me apo pa njohjen e Serbisë.