Një ditë pas miratimit në Kuvend të programit të ri qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe 16 ministrat e rinj janë duke marrë pjesë në ceremoninë e betimit në Presidencë.
Ceremonia e betimit e qeverisë së re në Presidencë nisi në orën 10:00. Ceremonia filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar, teksa më pas u lexua dekreti i Presidentit Begaj për qeverinë e re e të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Pas leximit të dekretit, duke nisur nga kryeministri Edi Rama dhe duke vijuar me radhë të gjithë anëtarët e qeverisë kryen betimin.
Pas betimit, kreu i qeverisë, siç ka vepruar edhe vitet e mëparshme, pritet që të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re, që shënon zyrtarisht nisjen e mandatit të katërt.
Seanca plenare e një dite më parë në Kuvend zgjati vetëm 25 minuta, pasi u ndërpre pas debateve mes palëve për shkak të fjalimit të ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella, fjalë e cila u vendos nga teksa po fliste kryeministri Edi Rama. Qeveria e re mori 82 vota mes zhurmës e kundërshtive nga opozita.
Pas ceremonisë së betimit para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministri Rama dhe 16 ministrat e kabinetit qeveritar iu drejtuan godinës së Kryeministrisë, duke ecur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ashtu siç e parashikon edhe protokolli zyrtar, Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar realizuan fillimisht foton familjare në shkallët e Kryeministrisë dhe më pas iu drejtuan sallës së mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 82 vota pro programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria e re e miratuar në Kuvend:
- Edi Rama, Kryeministër
- Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”
- Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
- Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
- Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Petrit Malaj, Ministër i Financave
- Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
- Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
- Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
- Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
- Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
- Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
- Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
- Toni Gogu Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin./KP