Radioja e Policisë së Kosovës do të ketë autorizim njëvjeçar për testimin e teknologjisë, ndërsa për funksionimin e saj do të ndahet frekuenca 92 dhe, sipas nevojës, edhe frekuenca të tjera.
Nisma ka nxitur reagime të ndryshme, ku janë ngritur shqetësime lidhur me financimin, pavarësinë editoriale dhe përputhshmërinë e saj me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ndërsa, partia në pushtet ka apeluar që kjo çështje të mos shndërrohet në temë politike.
Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Besnik Berisha, ka bërë të ditur se autorizimi për radion e Policisë së Kosovës është dhënë për një periudhë njëvjeçare, me qëllim të testimit të teknologjisë dhe shërbimeve të reja.
Ai ka thënë për KosovaPress se Policia ka paraqitur dëshmi për kapacitetet njerëzore për realizimin e këtij projekti, ndërsa frekuencat do të alokohen në bashkëpunim me zyrën ekzekutive të KPM-së.
“Bazuar në kërkesën e tyre, ata kanë sjellë dëshmitë që kanë kapacitete njerëzore për të kryer këtë punë. Autorizimi është për një vit për të testuar teknologjinë, do tu jepen frekuenca 92, por sipas nevojës edhe frekuenca të tjera, të cilat në bashkëpunim me zyrën ekzekutive të KPM-së do të alokohen, për qëllime të testimit. Testimi është i rëndësishëm dhe i dobishëm për shoqërinë tonë, ne dëshirojmë që t’i testojmë shërbimet e reja.”, ka thënë Berisha.
Megjithatë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka shprehur kundërshtimet e saj ndaj kësaj nisme, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit, burimet e financimit dhe ndikimin e mundshëm politik në përmbajtjen që do të transmetojë radioja.
Madje Kadrijaj ka vënë në dyshim nevojën për krijimin e një radioje të tillë, duke konsideruar se në Kosovë ekzistojnë mjaftueshëm media që mbulojnë sektorë të ndryshëm, përfshirë çështjet e sigurisë.
Andaj ajo ka kërkuar sqarime edhe për institucionin që do të monitorojë funksionimin e radios, duke shprehur shqetësimin se ajo mund të shndërrohet në një instrument të qeverisë.
“Unë nuk kam parë një model të funksionimit të radios së policisë, kam shikua a ka dhe në rajon, askush nuk e ka. Këta vetëvendosje gjithmonë shpikin diçka, ne në Kosovë kemi mjaft media që e mbulojnë çdo sektorë, ndoshta pikërisht të raporteve jo të mira të mediave me Kurtin, ka dashur ta vendos një si opozitë e mediave tona.”, ka thënë Kadrijaj.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka mirëpritur iniciativën, duke e cilësuar të nevojshme për informimin e qytetarëve nga burime të besueshme, siç ka thënë ajo dhe luftimin e dezinformatave.
Sipas saj, radioja mund të kontribuojë edhe në vetëdijesimin e qytetarëve për çështjet e sigurisë, përfshirë rastet e dhunës dhe temat e tjera që lidhen me fushë-veprimtarinë e Policisë.
Nagavci u ka bërë thirrje deputetëve opozitarë që këtë çështje të mos e shndërrojnë në debat politik.
“Shpresoj që të jetë një projekt i suksesshëm, besoj se është e nevojshme të kemi një program të tillë, për shumë arsyeje, që të kemi informata nga burime të besueshme, sepse jemi dëshmitarë të dezinformatave të shumta të çdo ditshme.”, ka thënë Nagavci.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka bërë të ditur se përgatitjet për krijimin e radios kanë filluar vite më parë, përmes një grupi punues që ka analizuar mundësitë e realizimit të projektit.
Sipas Policisë, gjatë këtij procesi janë konsultuar partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, është shqyrtuar modeli i Radio KFOR-it, si dhe janë zhvilluar takime me radio të ndryshme në Kosovë për t’u informuar mbi procedurat e funksionimit dhe transmetimit.
“Policia e Kosovës vite më parë ka filluar analizimin përmes grupit punues për radio të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka konsultuar edhe partenerë ndërkombëtarë e vendor, përfshirë edhe modelin e radio KFOR-it që funksionon që nga paslufta në Kosovë, si dhe takime me disa radio të ndryshme në Kosovë, për procedurat e funksionimit dhe punës së tyre në transmetim të lajmit/informacionit.”, ka thënë PK përmes një përgjigje me shkrim.
Nga ky institucion kanë theksuar se synimi kryesor është promovimi i punës së Policisë në komunitet, afrimi me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre për sigurinë./KP