U nis për të pirë kafe me shokët e tij.
Por të riut nga Prishtina me inicialet Sh.B takimi me dy shokët e tij nuk i shkoi ashtu siç e kishte planifikuar.
Kjo, për shkak pasi që i njëjti nga vendi ku e parkuan veturën doli me dorë të thyer.
Ai po pretendon se këtë ia bërë një zyrtar policor, i cili ruante objektin e Administratës Tatimore të Kosovës, në rrugën “Fehmi Agani”, në Prishtinë.
E, gjithë ngjarja kishte nisur për shkak të një parkingu, pasi që zyrtari policor nuk i lejoi të njëjtit ta parkojnë veturën afër këtij objekti, shkruan Front Online.
Sh.B pretendon se dora e tij është thyer nga ky zyrtar i policisë vetëm pasi që ky i ka thënë policit që nuk mund t’ia marr telefonin.
Sh.B kishte lëshuar telefonin që të incizojë gjithë komunikimin me policin, pasi që thotë se sjellja e policit dhe komunikimi me të ka qenë arrogant.
Front Online ka kontaktuar edhe me avokatin e Sh.B, Alban Arifi i cili ka treguar në detaje rastin e ndodhur dy ditë më parë mes klientit të tij dhe zyrtarit policor.
Ai ka thënë se klienti i tij ka qenë shumë i qetë ndërsa, sjellja e policit ka qenë arrogante.
“Me datën 17 mars në mbrëmje Sh.B ka qenë me dy shokë të tij duke shkuar te “Kafet e vogla”, edhe kur kanë shkuar aty kanë dashtë ta parkojnë veturën të objekti i ATK-së që është përballe kafeve aty, dhe aty ka dal një polic dhe i ka thënë nuk bën me u parku, ata e kanë marrë edhe e kanë lëviz veturën edhe e kanë pyet pse nuk bën me u parku këtu edhe polici i ka thënë hajde brenda. Shpati s’ka qenë shofer por pasagjer edhe e ka marr e ka fut brenda aty në korridor të objektit edhe Shpati e ka lëshu telefonin me inicizu kështu komunikimin sepse iu ka dok sjellje arrogante që ka përdor polici”, ka deklaruar Arifi për Front Online.
Ndërsa, duke shpjeguar ngjarjen në detaje se si ka ndodhur, avokati Arifi është shprehur se dora e klientit të tij është thyer pasi që ky i fundit i ka thënë zyrtarit policor “nuk ta jap telefonin”.
“Kur ka hy brenda polici ka fillu me ia kap telefonin dhunshëm, dhe Shpati i ka thënë mos ma prek telefonin dhe aty për aty ia ka kap dorën dhe ia ka kris dorën. Edhe atëherë e kanë thirr patrullën e kanë marrë në stacion policor e kanë pyet çka ka ndodhë, dhe aty e ka lajmru rastin për dhunën që e ka bë polici ndaj tij, dhe sot isha në Inspektorat Policor dhe e lajmëruam rastin”, është shprehur avokati Arifi.
Por, thotë se mënyra se si është sjellë polici ka qenë arrogante, derisa nga klienti i tij sjellja ka qenë normale.
“Sjellja e Sh.B ka qenë shumë e mirë, ka qenë i qet, ka qenë korrekt edhe ju ka përmbajt urdhrave të policit, pra shoferi i veturës e ka lëviz veturën edhe e ka hjek prej aty, dhe nuk kanë pas asnjë kundërshtim, ose diçka, kështu që nuk ka pas asnjë sjellje jo normale e Sh.B. E, ka përdor forcën vetëm pse ky i ka thënë mos ma merr telefonin, E kan shti në objekt të ATK-së përball kafeve të vogla që është aty, e kanë shti në korridor dhe aty ja ka thy dorën ”, është shprehur ndër të tjera mbrojta e Sh.B.
Arifi, deklaron se tashmë rastin e kanë paraqit edhe në Inspektorat të Policisë së Kosovës.
“Inspektorati kanë bisedua edhe me Policinë, pra me stacionin policor në qendër edhe ata e konfirmuan që e kanë lajmërua rastin edhe aty, janë angazhua hetuesit e IPK-së dhe e zhvillojnë hetimin, i marrin deklaratat, video-incizimin, dhe e shohin se si ka ndodhë rasti që ju ka thy dora. Ka qenë vetëm një polic, polic që i ruajnë objektet”, ka thënë në fund Arifi.
Front Online posedon edhe raportin mjekësor të Sh.B e ku shihet se për të njëjtin është kërkuar që të dërgohet në Qendrën Klinike Emergjente.
Për këtë rast portali Front Online ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, por të njëjtit deri nw publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Rastet kur zyrtarët policor po sulmojnë qytetarët kohëve të fundit janë në rritje/Front Online/