LAJME

Quni: Lufta në Ukrainë tregon se duhet t’i rishikojmë politikat e sigurisë

Quni: Lufta në Ukrainë tregon se duhet t’i rishikojmë politikat e sigurisë
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Shkurt 2022, 18:57

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se janë befasuese arritjet e ushtrisë ukrainase dhe mbështetja që po e gëzojnë nga qytetarët.

Ai ka thënë se gjenerata më e moshuar e ushtrisë e dinë si ka funksionuar Bashkimi Sovjetik dhe i parashikojnë veprimet e kundërshtarit.

Sipas tij, fitues i këtyre betejave është ushtria që zhvillon luftë të drejtë.

“Padyshim ushtarët ukrainas janë shumë më të motivuar. Mund të kenë probleme në infrastrukturë por me motiv kjo pjesë kompensohet. Është shumë me rëndësi edhe se ku zhvillohet lufta, do të thotë që ushtria ukrainase e njeh fare mire terrenin e tyre. Ukraina nuk ka qenë nxitës i luftës dhe thjeshtë është një agresion politik. Ukraina është shtet demokratik dhe parlamentar. Niveli i reagimit qytetarë mund të ngrihet në varësi edhe të liderit që i udhëheqë”, ka thënë ai.

Quni ka thënë se media, lufta kibernetike e rrjetet sociale, si faktorë në ndikimin e epilogut të ngjarjeve luajnë rol shumë të madh.

Duke folur për luftën e fundit në Kosovë, ai ka thënë se në mungesë të teknologjisë e gjitha është kompensuar në informimin e drejtë të qytetarëve.

Sipas tij, është shumë lehtë tani të identifikohen materialet e vërteta dhe ato të rreme.

“Në të kaluarën luftërat kanë qenë kryesisht çështje të ushtrive. Tani luftërat me teknologji nuk janë çështje vetëm e ushtrisë por kanë ndikim të madh edhe te qytetarët. Ushtarët që kanë shkuar në luftë në Ukrainë nuk kanë qenë mirë të informuar se ku po shkojnë. Ata vërtetë kanë menduar që po shkojnë për ndonjë ushtrim. Në momentin kur rreziku i kanoset tërë kombit, atëherë nuk lihet në ndërgjegjen e dikujt dhe kjo është e rregulluar me ligj. Nuk është rreziku ndaj një grupi dhe komuniteti, por ndaj një kombi në tërësi”, ka thënë ai.

Quni ka thënë për agresion në Ukrainë janë rreth 200 mijë forca ruse. Sipas tij, ndoshta është edhe e menduar që këto forca të ndërrohen me rrotacion.

Sipas tij, ka ende teknologji të papërdorur, gjithashtu ekziston edhe kërcënimi i Putinit për luftë bërthamore.

Ai thekson se kërcënimet për luftë bërthamore nga Rusia, duhet të merren parasysh.

Sipas tij, kjo ngjarje duhet t’i bëjë të gjitha vendet t’i shikojnë politikat e sigurisë.

“Tani po krijohet një realitet i ri dhe të gjithë liderët kanë përgjegjësi për popullin e tij. Përderisa edhe Gjermani me gjithë të kaluarën ndryshon politikën, atëherë është alarm se diçka po ndryshon në botë. Ky është mesazh edhe për Putinin që Evropa nuk do të lejojë një sjellje të tillë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se prioritet i Qeverisë së Kosovës, presidentes dhe të gjitha institucioneve duhet të jetë anëtarësimi në NATO.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika