Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka adresuar çështjen e pranimit të 400 të rinjve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për vitin e ardhshëm për të cilën tha se kostoja buxhetore e tyre do të jetë 2.1 milionë euro.Quni këtë çështje e adresoi tek ministrja e Financave Hykmete Bajrami, duke kërkuar që kjo ministri të siguroi 2.1 milionë euro për 400 kadetët e rinj të cilët vitin e ardhshëm do të hyjnë në sistemin e pagave.
“Për planin gjithëpërfshirëse të tranzicionit i cili në fazat e veta e ka dhe një kosto. Por që adresimi i kësaj çështje ne na siguron që në afatet e caktuara të përmbushim planet e tranzicionit. Ne jemi në procedimin apo selektimin e 5.400 kandidateve të cilët aplikojnë për 400 vende të parapara për vitin e ardhshëm. Nëse e marrim parasysh hyrjen e tyre në sistemin e pagave kjo e ka një kosto rreth 2.1 milionë euro, po ashtu edhe shërbimet e tjera për veshmbathje, etj. Kjo çështje do të adresohet dhe besoj ta ketë një epilog pozitiv”, tha ministri i Mbrojtjes.
Mirëpo ministrja Bajrami tha se një burim të tillë financiar nuk mund ta siguroj për momentin.“Para nesh kemi buxhetin i cili i ka të barabarta të hyrat dhe dalat. Kur propozohen amendamente duhet të specifikohet burimi i financimit. Si ministre tani për tani nuk kam ndonjë burim të tillë për të financuar një kosto të tillë. Nuk kam financa për të financuar një burim të tillë. Nëse ministri ka ndonjë burim të na propozoj ndonjë burim nga ministria e tij le të na e propozon, përndryshe le të mbetet kjo çështje e rishikimit”, ka thënë ajo.Tutje ministrja Bajrami po ashtu tha se me situatën pandemike me të cilën po përballet Kosova, parashikimet për burime financiare janë shumë të vështira dhe të pasigurta.
“Përndryshe parashikimet janë shumë të vështira dhe të pasigurta me numrat që po kthehen, situata mund edhe të përkeqësohet kështu që në këtë moment nuk kam përgjigje për adresim të kësaj kërkese. Më vjen shumë keq”, ka thënë ndër të tjera ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.