Shtetet anëtare të QUINT-it kanë shprehur shqetësimin me vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë të hënën që të mos u lejohet vizita në Kosovë patriarkut serb Porfirije dhe peshkopëve tjerë për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet hyrja në Kosovë patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopëve të tij përcjellës, që të marrin pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës. Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, që qartë përshkruajnë të drejtat, priviligjet, imunitetet e klerit të Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se pritet nga Qeveria e Kosovës që të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe me veprimet e saja. Po ashtu palëve u është bërë thirrje të frenohen nga veprimet e retorikat që mund të nxisin tensionet.





