Angazhimet lidhur me trashëgiminë kulturore në fshatin Zym dhe përpjekjet për ruajtjen e promovimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore të trevës së Hasit janë diskutuar në takimin që drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka zhvilluar me drejtoreshën e Ansamblit “Katarina Josipi”, Lajde Kolgjeraj. Kjo e fundit është edhe anëtare e Këshillit për Fshatin Zym.
Sipas njoftimit të QRTK-së, gjatë takimit Hoxha është njoftuar me angazhimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, me një theks të veçantë në trashëgiminë shpirtërore.
Aty është nënvizuar se në takim është diskutuar edhe për angazhimet tjera në fshatin Zym, duke përfshirë “Studimin e fizibilitetit dhe planin e menaxhimit për fshatin Zym të Hasit”, hartimin e projektit për restaurimin e Kullës së Zaptive dhe fillimin e punimeve për restaurimin e Kullës së Pjetër Prekpalaj, që pritet të përfundojë gjatë vitit 2026.





