Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje, në një komunikatë për media, ka thënë se mungesa e asistentëve të kualifikuar mbetet sfidë kritike në Kosovë, ndërsa përgatitja profesionale vazhdon të mbështetet kryesisht në partneritete ndërkombëtare, me rol kyç të Luksemburgut që nga viti 2017.
“Në Kosovë, mbi 4,000 fëmijë me nevoja të veçanta arsimore përballen çdo ditë me sfida serioze në ndjekjen e procesit mësimor, shpesh pa mbështetjen e duhur profesionale në klasë. Edhe pse arsimi gjithëpërfshirës është i garantuar në kuadër ligjor dhe dokumente strategjike, realiteti në terren vazhdon të tregojë një mungesë të theksuar të asistentëve të kualifikuar, duke e bërë përfshirjen efektive të shumë nxënësve të vështirë për t’u realizuar” – shkruan QPGj.
Sipas të dhënave të fundit, QPGj thotë se mbi 4,800 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të identifikuar në Kosovë, ndërsa rreth 8% e fëmijëve vlerësohet se kanë vështirësi funksionale. Kjo sipas tyre sugjeron se numri real i fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje është edhe më i lartë. Ndërkohë, rreth 3,600 nxënës me nevoja të veçanta janë të përfshirë në sistemin parauniversitar, por numri i asistentëve të angazhuar mbetet shumë i kufizuar.
QPGj thekson se ky disproporcion krijon një hendek të madh ndërmjet nevojës dhe mbështetjes reale në klasë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e të nxënit, përfshirjen sociale dhe mirëqenien psikologjike të nxënësve. Sipas tyre, në mungesë të mbështetjes individuale, shumë fëmijë përballen me vështirësi të vazhdueshme, ndërsa mësimdhënësit mbingarkohen dhe sistemi arsimor nuk arrin të ofrojë barazi reale.
“Zhvillimi i këtij profesioni në Kosovë ka filluar në mënyrë të strukturuar në vitin 2017, kur Agjencia për Zhvillim e Luksemburgut (LuxDev) mbështeti implementimin e programit të parë të kualifikimit në bashkëpunim me Pearson (Mbretëria e Bashkuar) dhe institucionet vendore. Ky program krijoi bazën fillestare për përgatitjen e asistentëve dhe vendosi standardet e para profesionale në këtë fushë. Pas disa viteve implementimi, nevoja për zgjerim të kapaciteteve u bë edhe më e dukshme. Në vitin 2024, sërish me mbështetjen e LuxDev, u zhvillua dhe u implementua programi i dytë ndërkombëtar, këtë herë në bashkëpunim me Qendrën Profesionale për Gjithëpërfshirje (QPGJ) dhe OCN London (Mbretëria e Bashkuar). Ky program synon rritjen e numrit të asistentëve të kualifikuar dhe përmirësimin e cilësisë së përgatitjes profesionale sipas standardeve evropiane” – thekson QPGj.
Sipas QPGj, këto dy ndërhyrje – në vitin 2017 me Pearson dhe në vitin 2024 me QPGJ–OCN London – dëshmojnë se zhvillimi i këtij profesioni në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht nga Luksemburgu.
Megjithatë, Qendra thekson se mungesa e një programi shtetëror të akredituar të Nivelit V për këtë profesion mbetet një sfidë e madhe strukturore. Si bëhet e ditur në njoftim, aktualisht, në Republikën e Kosovës nuk ekziston një program publik për përgatitjen e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta, çka e bën këtë sektor të varur kryesisht nga partneritetet ndërkombëtare.
“Në aspektin ligjor, kërkesat janë të qarta. Sipas Ligjit nr. 03/L-060 për Kualifikimet Kombëtare, si dhe Udhëzimeve Administrative nr. 05/2021 dhe nr. 19/2022, profesioni i Asistentit për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore kërkon përfundimin e një kualifikimi të Nivelit V post-sekondar. Për më tepër, përmes Protokollit nr. 2337 (gusht 2024) është konfirmuar përputhshmëria e programit të QPGJ–OCN London me kuadrin normativ të Republikës së Kosovës dhe me Standardin e Profesionit (kod 2352). Të dy programet janë të validuara nga institucione të autorizuara të Mbretërisë së Bashkuar dhe funksionojnë nën mbikëqyrjen e Ofqual, duke garantuar cilësi dhe standardizim. Ato janë të harmonizuara me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF Level 5), duke i bërë të krahasueshme në nivel evropian” – thuhet në reagimin e kësaj qendre.
Megjithatë, edhe pse dhjetëra asistentë të kualifikuar tashmë janë të angazhuar nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, QPGj thotë se numri i tyre mbetet shumë i ulët krahasuar me nevojën reale në terren, e cila vazhdon të rritet çdo vit.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj çështjeje, Dr. Natyra Agani Destani, psikologe dhe bashkë-themeluese e Qendrës Profesionale për Gjithëpërfshirje (QPGJ), deklaron: “Mbështetja profesionale në klasë nuk është një shërbim shtesë, por një element thelbësor i arsimit gjithëpërfshirës. Pa asistentë të kualifikuar, përfshirja mbetet vetëm në nivel formal, ndërsa fëmijët përballen me barriera reale në të nxënë dhe zhvillim. Investimi në këtë profesion është investim në të ardhmen e shoqërisë dhe në një sistem arsimor më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.”
“Në përfundim, situata aktuale në Kosovë tregon qartë se, megjithëse janë bërë hapa të rëndësishëm përmes mbështetjes ndërkombëtare, sfida mbetet thellësisht strukturore dhe afatgjatë. Ndërhyrjet ekzistuese kanë krijuar një bazë të rëndësishme, por ende nuk mjaftojnë për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të garantuar institucionalisht” – thekson tutje QPGj.
QPGj nënvizon se pa një strategji të integruar shtetërore, që përfshin investime publike, zhvillim të kapaciteteve vendore dhe institucionalizim të këtij profesioni, arsimi gjithëpërfshirës rrezikon të mbetet i pjesshëm dhe i pabarabartë.
“Në praktikë, kjo nënkupton që jo të gjithë fëmijët kanë qasje të barabartë në mbështetje cilësore, ndërsa sistemi vazhdon të mbështetet në projekte dhe iniciativa të përkohshme. Vetëm përmes një angazhimi të koordinuar dhe afatgjatë ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të ndërtohet një sistem funksional dhe i drejtë. Sepse në thelb, kjo nuk është vetëm një çështje e arsimit, por një çështje e barazisë, dinjitetit dhe të drejtave themelore të fëmijëve” – përfundon reagimi.