Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë të veçantë në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten e kaluar në moshën 89-vjeçare.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qosja kujtohet si njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike, vetëdije dhe përgjegjësie historike.
“Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohë ai iu përgjigj me vepra, më studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike”, ka thënë Haxhiu, në seancën që ka nisur më një minutë heshtje në nderim të Qosjes.
Ajo ka thënë se Qosja e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik.
“Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi më pyetjen më të madhe të kohës së tij “Si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike. Me punën e tij kërkimore, me interpretimet e thella dhe në leximin e ri të autorëve tanë më të rëndësishëm, Qosja e bëri letërsinë shqipe pjesë të debatit të madh për identitetin, për vazhdimësinë historike dhe për të drejtën politike të shqiptarëve”, ka theksuar Haxhiu, duke thënë se ai ishte zë i qartë kundër shtypjes së shqiptarëve.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij e ka cilësuar Qosjen si një ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
“Neve shqiptarëve na vdiq Rexhep Qosja. Ishte një nga intelektualët, shkrimtarët, veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë. Elani i tij ishte liria kombëtare, prandaj gjithë çka prodhoi e ka formën e luftës kundër shtypjes. E lufta është strategji. Me të drejtë u tha se ai është rilindësi i fundit. Ndër institucionet që ai la gjurmë të thella janë Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve, si dhe Instituti Albanologjik. Trupi i Rexhep Qosjes na la… ai nuk është me ne fizikisht, por intelekti i tij që e formuloi porosinë e madhe gjithandej korpusit të tij krijues vazhdon mes nesh si trashëgimi. Do të jetojë përgjithmonë”./KOHA