Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare është realizuar me sukses një ndërhyrje komplekse kirurgjikale për trajtimin e aneurizmës së arteries splenike tek një paciente 71-vjeçare.
QKUK bën të ditur se aneurizma, me dimension rreth 7 cm dhe pjesërisht e trombozuar, paraqiste rrezik të lartë për rupturë dhe gjakderdhje potencialisht fatale.
“Pas diagnostikimit me angiografi CT (CTA), ekipi multidisiplinar vendosi për trajtim kirurgjikal të hapur. Gjatë ndërhyrjes është kryer aneurizmektomia dhe rekonstruksioni vaskular me anastomozë termino-terminale të arteries splenike, duke bërë të mundur ruajtjen e splenit dhe funksionit të tij imunologjik e hematologjik. Rasti është shoqëruar edhe me sfida anesteziologjike dhe pulmonare, të cilat janë menaxhuar me sukses nga ekipi profesional i anesteziologjisë dhe kujdesit intensiv” – thuhet në njoftim.





