Pas shumë kritikave, Bordi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka marrë vendim që ta kthej pagesën për parking në hapësirat e QKUK-së nga 1 euro në 50 centë.
“Sipas vendimit të ri, tarifa e parkingut është 0.50 € nga 1 deri në 60 minuta, si dhe 0.50 € për çdo orë të qëndrimit (€/h)”- kanë konfirmuar nga QKUK për KALLXO.com
Ata thonë se vendimi është marrë me qëllim të lehtësimit të barrës financiare për pacientët, familjarët dhe qytetarët që frekuentojnë QKUK-në.
Në fillim të muajit shkurt Bordi i ShSKUK-së miratoi rregulloren e re për Shfrytëzimin e Parkingut në Hapësirat е QKUK-së në të cilën u mor vendimi që qytetarët të cilët futen me vetura në QKUK të paguajnë nga 1 euro për qëndrim deri 1 orë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë vitit 2025 nga të hyrat nga parkingu (50 centë për një orë) kishte arritur të grumbulloj 272 mijë e 836 euro, kanë konfirumuar nga QKUK.
Muaji korrik në vitin 2025, kishte sjellë më së shumti të ardhura nga të hyrat e parkingut, rreth 28 mijë e 420 euro.
Në krahasim me vitin 2024, ku në këtë vit QKUK kishte grumbulluar 276 mijë e 517 euro nga të ardhurat nga parkingu.
Rregullorja për Shfrytëzimin e Parkingut në Hapësirat е QKUK-së përjashton nga pagesa stafin e QKUK-së, disa kategori të sëmundjeve kronike, personat me nevoja të veçanta./Kallxo.com