Rruga Komoran – Drenas – Skënderaj, një qendër e mjekësisë familjare në Drenas, një çerdhe në komunën e Malishevës, një fushë sporti po në këtë komunë janë vetëm disa nga dhjetëra projektet kapitale të planifikuara për këtë vit, por që nuk u realizuan.Se përse ndodhi kështu, zyrtarët komunalë në Drenas e Malishevë nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë.
Paratë për projekte kapitale në Kosovë planifikohen me buxhetin e çdo viti kalendarik.Me buxhetin e përgjithshëm të këtij viti prej 3.3 miliardë eurosh, për investime kapitale ishin ndarë 859 milionë euro.
Prej tyre, deri në tetor, u shpenzuan rreth 215 milionë euro, sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ndërsa në portofol mbeten edhe rreth 644 milionë.Projektet në të cilat u investua këtë vit, por edhe viteve të kaluara, përfshijnë kryesisht: ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale, blerjen e pajisjeve informative, kompjuterëve dhe automjeteve transportuese, renovimin e institucioneve publike, si: çerdhe, objekte spitalore, shkolla e të tjera.





