Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) ka vendosur të martën masa të tjera mbrojtëse për produktet e naftës, si dhe e ka caktuar çmimin e tyre për tre muajt e ardhshëm.
Sipas vendimit të ri, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër, ndërsa marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.
Ky vendim hyri në fuqi sot dhe do të vlejë për 90 ditë, tha MINT-i.
MINT-i nënvizoi në një njoftim në Facebook se e mori një vendim të tillë sepse ka gjetur “mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror”.
“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës”, thuhet në njoftim.





