Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka thënë se Qeveria e Kosovës mendon që në fund të mandatit të saj të nisë përgatitjet për të shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në mënyrë që këtë punë ta kryejë qeverisja e ardhshme kushdo që ta fitojë atë.
Syla ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se tani për tani nuk ka asgjë në plan në këtë drejtim, duke shtuar se qëllimi kryesor aktualisht është që të bëhet plotësimi i kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së.
“Në platformën tonë të mëhershme, LVV-ja ka pasur dhe ka mision që një ditë ta bëjë të mundshme që ne ta kemi shërbimin ushtarak obligativ ose të detyrueshëm. Pas plotësimit të kapaciteteve dhe zhvillimit të FSK-së, nuk do ta lëmë anash që të mendojmë në këtë drejtim që të punohet. Do të angazhojmë specialistë të kësaj fushe për ta përgatitur ushtrinë e detyrueshme meqë rinia jonë nuk di as për vetveten të japë sigurinë e të mos flasim që të jap sigurinë për të tjerët. Tash për tash nuk e kemi në plan dhe nuk e kemi si fazë që do ta realizonim, por jemi duke punuar që pas plotësimit të fazës së dytë, të mendojmë se kur do të jetë shërbimi i detyrueshëm. Kjo është e kushtueshme dhe duhet buxhet i madh për ta bërë këtë punë. Ne mendojmë që fundi i mandatit tonë si Qeveri të hyjë me përgatitjet dhe projektin që në mandatin tjetër të bëhet realitet, kushdo qoftë në Qeveri”, ka thënë Syla.





