LAJME

Qeveria: Serbia s’ka mandat të kërkojë autonomi më të madhe për serbët e veriut

Qeveria: Serbia s’ka mandat të kërkojë autonomi më të madhe për serbët e veriut
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Qershor 2023, 20:37

Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar kërkesën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për t’u ofruar autonomi më të madhe serbëve që e përbëjnë shumicën në veri. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se Serbia nuk ka mandat për të shtruar kushte të reja. E analisti Dorajet Ajeti shpreh qëndrimin se kërkesat e tilla e kanë burimin te pozita, aktualisht, e pafavorshme e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar

Serbia nuk ka mandat të dalë me kërkesën që serbëve të veriut t’u ofrohet autonomi më e madhe, kanë thënë të shtunën në Qeveri.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Reutersin të premten, i bëri thirrje Kosovës që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarë të komunave në veri, derisa të arrihet autonomi më e madhe për serbët, që e përbëjnë shumicën lokale dhe të cilët i bojkotuan votimet paraprake.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, tha për KOHËN se organizimi i zgjedhje është çështje e brendshme e Kosovës që rregullohet me ligjet e Kosovës.

“Organizimi i zgjedhjeve është çështje e cila rregullohet me ligje të Kosovës që janë në fuqi. Për zgjedhje të reja të mundshme në katër komuna në veri, përveçse duhet të respektohet ligji për zgjedhje, duhet të ketë edhe sundim të ligjit, i cili do të garantonte që ato janë të lira dhe demokratike, kurse fushata zgjedhore fer dhe e hapur”, tha Kryeziu.

Kryeziu theksoi po ashtu se Vuçiqi, përpara se të flasë për serbët e Kosovës, duhet që të kujdeset për pakicat shqiptare në Serbi.

E analisti politik, Dorajet Imeri, shprehu mendimin se kërkesat e këtilla nga Serbia e kanë burimin te pozita, aktualisht, e pafavorshme e Kosovës në spektrin ndërkombëtar, shkaku i zhvillimeve në veri.

“Situata në të cilën gjendemi është plotësisht jo e favorshme, sepse ne kemi humbur një pozicion të mirë negociues në raport me Serbinë dhe aq më tepër kur bashkësia ndërkombëtare, nuk e di pse, por ka qëndruar tërësisht e njëanshme ndaj Serbisë. Unë mund ta kuptoj këtë si përpjekje për ta ruajtur stabilitetin në Ballkan, për të mos hapur një konflikt të ri, pasi që nuk i konvenon në aspektin gjeostrategjik, por gjithsesi stabiliteti i Evropës nuk mund të bjerë në kurrizin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, për pozitën në situatën ndodhet, Kosova e bart një pjesë të përgjegjësisë.

“Edhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë pak më e orientuar si duhet në këto procese. Nëse ne kemi nënshkruar një marrëveshje të Brukselit dhe Ohrit, dhe ajo marrëveshje ka filluar të zbatohet me draftimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë natyrshëm që presioni do të jetë mbi Kosovën. S’mund të thuash që është presion përderisa ne vetë i kemi marrë disa obligime”, deklaroi Imeri.

Zgjedhjet e reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok u kërkuan nga faktori ndërkombëtar, pas protestave të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

E në Qeveri thanë se për organizimin e tyre, duhet që së pari të nxirren para drejtësisë përgjegjësit për trazirat, që rezultuan me lëndimin e dhjetëra pjesëtarëve të KFOR-it.