Nesër pritet të miratohet në mbledhjen e Qeverisë projektbuxheti për vitin 2021. Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më pak se buxheti i sivjetmë.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se pret që nesër të miratohet projektbuxheti në qeveri, për të proceduar pastaj për miratim në Kuvend.
“Ne presim që nesër me u miratua projektbuxheti në Qeveri, pastaj ashtu siç kërkohet me ligj me u bartur në Kuvend dhe ka afat që deri ën fund të vitit me u miratua. Kështu që ne jemi gati me procesin buxhetor, përkundër që ka qenë një proces shumë sfidues, këtë vit për shkak të situatës së re me i shkurtua kufijtë buxhetor në krahasim me projeksionet që kanë qenë më herët. Krahas kësaj, është dashur me sigurua edhe një fond shtesë mbështetës edhe për vitin e ardhshëm lidhur me pakon për rimëkëmbje, edhe një pjesë të fondeve për shëndetësi”, thotë Krasniqi.
Zëvendësministri po ashtu theksoi se janë vënë tri prioritet më këtë buxhet. Sipas tij, prioritet kryesore mbetet sektori i shëndetësisë për ballafaqimin me pandeminë dhe sektori privat.Krasniqi tha se për këtë projektligj kanë marrë pëlqimin edhe të FMN-së.
“Dy tri qëllime janë kryesore që përkundër kësaj gjendje te pjesa e politikave të të hyrave nuk ka ndryshuar asgjë, në kuptimin që përkundër rënies së të hyrave nuk ka rritje të taksave. Prioritet mbetet sektori i shëndetësisë, ballafaqimi me pandeminë. Vitin tjetër krahas kujdesit ët shëndetit publik, qeveria Kosovës kujdeset edhe për sektorin privat dhe për shëndetin e qytetarëve. Kështu që këto janë prioritet, duke mos harrua që të gjitha projektet të cilat janë të kontraktuara vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm në mënyrë që edhe kjo pjesa e investimeve publike me e ruajtur kontinuitetin. Përveç kësaj ne kemi arrit që të ketë dakordim për këtë buxhet edhe me FMN-në… Pra, ky buxhet është 2 miliardë e 400 milionë euro. Brenda këtij buxheti do të sigurohet që me funksionuar sektori publik, pagat, mallrat, subvencionet, të gjitha obligimet ligjore. Me u sigurua një fond 616 milionë për investime kapitale”, theksoi ai.
Ndërsa, profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë për KosovaPress, se buxheti duhet të jetë në funksion të mirëqenies dhe shëndetit publik.
Profesori Skënderi ka kërkuar që të ketë unifikim të spektrit politik për miratimin e ligjeve më rëndësi për vendin.
“Qeveria përmes institucioneve të saj, do të duhej ta ri-orientoj Buxhetin në funksion të mirëqenës sociale, që nënkupton aspektin shëndetësor, por duke mos anashkaluar edhe sektorin privat. Mbështetje e sektorit privat përmes subvencionimit në forma të ndryshme do të duhej të ishte një nga prioritet kyçe për vitin e ardhshëm buxhetor, sepse në të kundërtën do të ndodhë kolaps ekonomik në tërësi… Edhe për buxhetin të respektohen afatet, natyrisht të mos ketë bllokada institucionale në këtë drejtim dhe të gjitha ri-orientimet nëse qeveria i bën në sektor të caktuar ta kenë përkrahjen e shumicës respektivisht unanimitetin e spektrit politik në mënyrë që institucionet të funksionojnë sipas procedurave ligjore”, thotë Skënderi.
Edhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës po kërkon që të ketë konsensus politik edhe për buxhetin e shtetit dhe projektligje të tjera që janë me interes për vendin dhe sektorin privat.
“Mos votimi i buxhetit do të sillet një bllokadë jo vetëm në zbatimin e projekteve infrastrukturore për vitin 2021, por megjithatë edhe ofrimi i shërbimeve publike, për pagat e administratës publike…. Konsensusi për sa i përket temave që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik domosdoshmërisht kërkon një konsensus që shkon përtej partive që janë pjesë përbërëse koalicionit qeverisës”, thotë Zeka.
Ndërsa, afatet ligjore për miratimin e projektbuxhetit në qeveri janë deri më 31 tetor.