LAJME

Qeveria nis procedurat për përfshirjen e Kosovës në “EU Roam Like at Home”

Qeveria nis procedurat për përfshirjen e Kosovës në “EU Roam Like at Home”
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Korrik 2026, 15:43

Qeveria në detyrë ka miratuar nismën për nisjen e procedurave për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të përdorin shërbimet e telefonisë mobile në vendet e BE-së pa tarifa shtesë roaming-u.

Kështu bëri të ditur ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai tha se vendimi i miratuar hap rrugën për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe bazohet në vendimin e muajit të kaluar të Këshillit të BE-së për autorizimin e hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në zonën “EU Roam Like at Home”.

Sipas Jagxhiut, marrëveshja do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe diasporën.

“Qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në vendet e BE-së për punë, studime, turizëm apo vizita familjare do të komunikojnë pa kosto shtesë roaming-u, njësoj si qytetarët e Bashkimit Evropian. Nga kjo do të përfitojë edhe diaspora jonë, e cila gjatë vizitave në Kosovë do të mund të përdorë shërbimet e telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roaming-ut”, tha ai.

Ministri shtoi se Kosova tashmë ka nisur përgatitjet për përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, duke bërë të ditur se Projektligji i ri për Komunikimet Elektronike, i cili transpozon Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, është hartuar dhe pritet t’i nënshtrohet konsultimit publik, ndërsa Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka filluar përgatitjen e legjislacionit sekondar për zbatimin e rregullave të reja.

Jagxhiu njoftoi gjithashtu se Qeveria ka miratuar edhe Kornizën për Ngritjen e Kapaciteteve Digjitale në Administratën Publike, e cila synon zhvillimin e aftësive digjitale të administratës dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.

Sipas tij, dokumenti krijon një model të unifikuar për zhvillimin profesional të stafit, përdorimin më efikas të teknologjisë dhe të dhënave, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Korniza synon që transformimi digjital të kuptohet si ndryshim institucional dhe profesional, e jo vetëm si investim në teknologji e sisteme”, deklaroi ministri në detyrë. /Zëri

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika