Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të hënën ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka themeluar Fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës.
Themelimi i Fondit të detyrueshëm shëndetësor parashihet me Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili është miratuar këtë vit para se të shpërndahej Kuvendi.
Sipas Ligjit disa nga detyrat dhe përgjegjësitë e Fondit janë të zbatojë politikat e sigurimit shëndetësor, të përcaktuara nga Ministria e shëndetësisë, të sigurojë zbatimin e këtij Ligji si dhe të propozojë nivelin ose shumat e kontributeve për t’u paguar, bashkë-pagesat, pagesat shtesë, dhe mjetet e tjera financiare për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në bazë të vlerësimit të situatës së të hyrave dhe shpenzimeve, gjatë një periudhe afatmesme për miratim në Bordin drejtues.
Gjithashtu në këtë mbledhje thuhet se është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 400 mijë euro për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në këtë mbledhje sipas njoftimit është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 153 mijë eurosh me qëllim të mbështetjes së realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të “OctoberTech” – iniciativë që thuhet se bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.