LAJME

Qeveria miraton buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Qeveria miraton buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Shkurt 2026, 11:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë prezantoi edhe njëherë të gjithë ministrat e kabinetit të tij, para se të vazhdonte me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të Buxhetit 2026.

Kurti tha se pas miratimit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe Buxheti “mund të procedohen qysh sot në Kuvendin e Kosovës.”

“Mësimet që kemi nxjerrë nga mandati i kaluar dhe përvojën që kemi fituar, së bashku me ekspertizën dhe dijet tuaja profesionale, më bëjnë të besoj se ky kabinet i ka parakushtet të jetë kabineti më i suksesshëm në historinë e re të Kosovës, që shumë shpejt i mbush 18 vjet” – ka deklaruar Kurti.

Sidoqoftë, në mbledhjen e parë të mandatit të tretë, u miratuan marrëveshjet ndërkombëtare, një me Bashkimin Europian dhe tri me Bankën Botërore me vlerë miliona euro.

Kabineti i ri qeveritar miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

Pos tyre, u miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore) dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për” Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Pos tyre u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë.

Krejt në fund u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet  Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin ”Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës.

Pas marrëveshjeve ndërkombëtare, u miratua edhe Buxheti i vitit 2026, me vlerë 4 miliardë euro.

“Marrë parasysh strukturën e Qeverisë duhet të ketë një rishikim, ne po e miratojmë që ta procedojmë në Kuvend”- tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai kërkoi zgjatje buxhetore meqenëse për miratimin në Kuvend të Buxhetit 2026, duhet të shkohet në dy lexime.

Krejt në fund, Qeveria mori vendim për zgjatje buxhetore me arsyetimin se duhet të kryhen disa pagesa të planifikuara. Zgjatja është për muajin mars, për pagat e sektorit publik dhe pensionet.

Qeveria Kurti 3 u votua më 11.02.2026. Për kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika