Organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 167 bizneseve vendore, përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Me një vlerë prej 4.4 milionë eurosh, prej të cilave përfituese janë përzgjedhur 167 biznese prodhuese, kryeministri Kurti tha se po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, modernizohen dhe kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit tonë.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, theksoi se me vizionin për qeverisje të mirë demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimin e një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.
“Me qëllim të transformimit në fushën e industrisë në vendin tonë, Qeveria e Kosovës, për herë të parë që nga periudha e pas luftës, ka miratuar Politikën Industriale 2030, e cila synon që industria e Kosovës të transformohet në një industri e cila është integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilësisë në ngritje dhe me punësim dinjitoz për qytetarët.”, njofton zyra e kryeministrit.
Në këtë ngjarje kryeministri përmendi edhe përkrahjen për industrinë prodhuese e cila sa i përket potencialit në eksport është rritur ndjeshëm vitet e fundit, në radhë të parë ai përmendi mbështetjen ndaj Fondit Kosovar Garanci Kreditore me 36 milionë euro, nga ana e Qeverisë së Kosovës. Tutje, ai shtoi se janë krijuar instrumente financiare për garantimin e investimeve të bashkatdhetarëve tanë, kjo është arritur nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës. Po ashtu, vetëm në këto tri vitet e fundit, përfshirë edhe këtë vit, 706 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, u është dhënë mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës në vlerë prej mbi 20 milionë euro, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA).
Ndërkaq, në anën tjetër, bazuar në raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vlerësimet për vitin 2024 kanë treguar se Kosova ka pasur një rritje ekonomike prej 3.9% në Kosovë, si dhe rënie të inflacionit që natyrisht është kundrejt importit, i cili ndikon negativisht në bruto produktin vendor. Ndërkaq, sa i përket raporteve ndërkombëtare nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashihet që sektori industrial në vendin tonë të rritet me 3.6%, me çmime bazë konstante për vitin 2024, pasi që sektori industrial përbën rreth 13.2 % e BPV-së.
“Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% në bazë vjetore gjatë këtyre tre viteve të fundit mesatarisht. Prej vitit 2021 deri në këtë vitin 2024 Bruto produkti vendor i vendit tonë ose ekonomia e Kosovës është rritur për 33%”, potencoi kryeministri Kurti para të pranishmëve.
Në përmbyllje kryeministri deklaroi se me qëllim të mbështetjes se sektorit privat si dhe reformat e krijuara tregojnë se Qeveria është e angazhuar dhe e përkushtuar maksimalisht në krijimin e mundësive të reja të punësimit si dhe më anë të kontributit dhe punës në ndërmarrje e tyre të shpalosin potencialin e ndërmarrjeve në Kosovë si shtytës kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor, thuhet në fund të njoftimit nga zyra e kryeministrit.
Në lidhje me këtë ngjarje edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se vërtet sot është një ngjarje e veçantë dhe e rëndësishme për ne pasi kemi përfunduar publikimin e listës përfundimtare të 167 bizneseve prodhuese që do të përfitojnë nga mbështetja e grantit për blerjen e makinerive prodhuese, përpunuese. ‘Urime të gjithëve në këtë ngjarje të veçantë”, u shpreh ajo.