Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti duhet që ta formojë Asociacionin e komunave ngase është obligim ndërkombëtar, madje marrëveshja është ratifikuar në Kuvend, vlerësojnë ekspertët e rrethanave politike.
Ndonëse thonë se nuk ka indikacion për rrëzimin e Qeverisë, ata thonë se kjo mund të ketë ndikim që vendi të shkojë në zgjedhje, nëse kushtëzohet.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria mund të rrëzojë veten, por indikatorë dhe shkaqe për ta rrëzuar Qeverinë nuk ka.
Tutje, Krasniqi tha se Asociacioni duhet të formohet, por thotë se edhe formimi duhet të bëhet në bazë të gjetjeve të Kushtetueses duke eliminuar çdo element që mund të asociacionet në ndonjë lloj pushteti ekzekutiv.
“Unë besoj që Qeveria nuk ka arsye të rrëzohet për shkak të dialogut sepse Qeveria jonë ka shumicë në parlament dhe e ka përkrahjen e opozitës për dialogun dhe e ka përkrahjen që të lëvizë drejt marrëveshjes finale. Qeveria mund të rrëzojë veten, por indikatorë dhe shkaqe për ta rrëzuar Qeverinë nuk ka. Unë besoj që Asociacioni duhet të formohet sepse është obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë me ratifikimin e marrëveshjes në Parlament”.
“Bashkësia duhet të formohet në pajtim me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese duke eliminuar çdo element që mund të asociacionet në ndonjë lloj pushteti ekzekutiv. Unë jam i bindur që Qeveria duhet të marrë ofenzivë diplomatike në atë kuptimin që të hartojë draftin e një statuti dhe të mos ia lë iniciativën Serbisë. Problemi i serbëve nuk mund të zgjidhet me njësi policore, dhe nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje. Plani i Ahtisari po edhe marrëveshja e Brukselit ka paraparë formimin e komunave me shumicë serbe”, tha Krasniqi.
Ndërsa, analisti Politik, Arbnor Sadiku ka thënë se nëse Qeverinë Kurti, deri në vjeshtën e vitit 2022 nuk do të ketë gati një draft statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova do ta humb komunitetin ndërkombëtar.
