Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 21-të në formë elektronike, ku ka marrë disa vendime me rëndësi në fushën e ekonomisë, arsimit dhe administratës publike.
Sipas njoftimit të ZKM-së, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ekzekutivi ka ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, me fokus mbështetjen e linjave ajrore për destinacionet që shërbejnë diasporën kosovare.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë mjete buxhetore edhe për promovimin e Republikës së Kosovës në gara dhe aktivitete ndërkombëtare.
Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës janë ndarë 8 mijë euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik në Shangai të Kinës.
Ndërkaq, për “Kosova Global Talent Center” janë ndarë 70 mijë e 876 euro e 79 centë, për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e “NEO Science Olympiad”, që do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë muajit korrik 2026.
Mbështetje financiare ka marrë edhe Shoqata e Kimistëve të Kosovës, në vlerë prej 3 mijë e 500 eurosh, për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila do të mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.
Në këtë mbledhje, Qeveria në detyrë ka aprovuar edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.