Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon.
“Irani ka përshpejtuar pasurimin e uraniumit saqë edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike deklaroi të enjten se Irani nuk po përmbushte detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore. Prandaj, Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe t’i përmbahet detyrimeve të IAEA.
Kosova beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale.





