Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka bërë të ditur se në kuadër të një serie të takimeve me kryetarët dhe nënkryetarët e 38 komunave ka kërkuar nga ta përpunimin e të dhënave personale sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe garantimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Përmes një komunikate të lëshuar më 24.06.2024, bëhet e ditur se AIP ka kërkuar caktimin dhe fuqizimin e zyrtarëve për Mbrojtje të të Dhënave Personale si dhe zyrtarëve për Qasje në Dokumente Publike.
Agjencia po ashtu ka kërkuar hartimin dhe publikimin e politikave të privatësisë, hartimin e rregullores së brendshme për sigurinë e përpunimit të të dhënave personale, anonimizimin e të dhënave personale gjatë publikimit të dokumenteve që lëshon Komuna dhe publikimin proaktiv të dokumenteve publike në ueb faqen zyrtare të institucioneve/ komunave.





