Ish Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se ai dhe qeveria të cilën e udhëheq u dorëzuan sot para Serbisë në veri të Kosovës.
Qalaj tha se vënia e gurëthemelit për ndërtimin e Universitetit paralel të Prishtinës, ku pjesëmarrës ishte edhe ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, dhe qeveritarët serb me një buxhet prej 6 milionë eurosh nga Beogradi, sipas Qalajt janë kapitullim pa kushte, por edhe dështim e rrezik për jofunksionalitet afatgjatë të asaj pjese të Kosovës.
“Fatkeqësisht, krekosjet e dikurshme kuq e zi e me protesta si opozitar zhurmaxhi kur futeshin njësitë speciale të policisë së Kosovës në veri te Kosovës, kur ndalej treni serb e organizoheshin zgjedhjet e Kosovës, kanë marrë fund turpësisht dhe pikërisht në momentin kur tani e ka gjithë fuqinë dhe pushtetin për të vepruar”, ka shkruar Qalaj në llogarinë e tij në Facebook.





