Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për hapjen e 177 kutive të votimit, me 1 mijë e 631 fletëvotime të pavlefshme, të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës, në mënyrë që të njëjtat të rivlerësohen, numërohen dhe përfshihen në rezultatin përfundimtar.
Me shumicë votash në mbledhjen e mbajtur të KQZ-së më 06.03.2025 ishte refuzuar rekomandimi i sekretariatit të këtij institucioni për hapjen e 177 kutive të votimit të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës.
“Paneli vlerësoi se në lidhje më çështjen e vlefshmërisë së votave që përmbajnë gabim teknik me shtypje-printim, tashmë është marrë vendim nga PZAP… ku është konstatuar se janë të vlefshme fletëvotimet në të cilat shprehet qartë qëllimi i votuesve se për cilin subjekt kanë votuar dhe shtypja-printimi jo i plotë nuk mund ta cënojë të drejtën e votuesve për të shprehur vullnetin e tyre”- thuhet ndër të tjera në vendimin e PZAP, i cili e hedh poshtë refuzimin e KQZ-së për hapjen e këtyre kutive.





