Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës që të ketë përsëritje të procesit zgjedhor në Mitrovicë të Jugut. PDK-ja ishte ankuar për fletëvotimet e përziera ndërmjet klasave dhe çështjes së numrit serik në fletëvotime.
Megjithatë, PZAP-ja e ka cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për t’i dëshmuar parregullsitë dhe se pas hetimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezultuar që numri i të gjitha fletëvotimeve të vlefshme, të pavlefshme dhe të dëmtuara përputhet me numrin e fletëvotimeve të pranuara nga Këshilli i Vendvotimit.
Paneli ka thënë se kërkesa që të përsëriten zgjedhjet në të gjithë territorin e Mitrovicës janë të pathemelta.





