Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që kërkonte anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas vendimit të PZAP-it, ankesa e VV-së u konsiderua e palejueshme, pasi nuk përmbushte kërkesat ligjore.
“HUDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP ka argumentuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores së PZAP-së për procedurën e paraqitjes së ankesave, vetëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ mund të paraqisnin një ankesë të tillë, nëse konsideronin se u ishte cenuar ndonjë e drejtë.
VV kishte pretenduar se certifikimi i Listës Serbe është i paligjshëm, duke theksuar se vendimi u mor pa pjesëmarrjen e dy përfaqësuesve të saj në votim.
Megjithatë, PZAP sqaroi se kjo çështje nuk i jep të drejtën subjektit politik të paraqesë ankesë, por vetëm përfaqësuesve të saj individualë në KQZ.
“Paneli pasi qe shqyrtoj ankesën gjeti se njëjta është e palejuar.
…Paneli vlerëson se vetëm dy përfaqësuesit e palës ankuese, që janë anëtarë në KQZ, mund të ushtrojnë mjete juridike nëse pretendojnë se me vendimin kontestues iu është cenuar ndonjë e drejtë e njohur nga Ligji nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës apo aktet nënligjore të nxjerra nga KQZ.
Prandaj, duke u nisur nga të gjitha arsyet e përmendura më lart, dhe në përputhje me nenin 119, paragrafin 3 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe me nenin 13, paragrafin 3, nën-paragrafin 3.1 të Rregullores së PZAP-it Nr. 01/2024 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, Paneli vendosi të hedhë poshtë ankesën si të palejueshme”.
Në mbledhjen e fundit të vitit 2024, KQZ e certifikoi Listën Serbe pas një vendimi të mëparshëm të PZAP-it, që urdhëronte certifikimin e kësaj partie politike.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se vendimi i PZAP-it është i plotfuqishëm dhe çështja është mbyllur.
VV më parë kishte dërguar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar anulimin e vendimit të PZAP-it. Megjithatë, Gjykata e hodhi poshtë këtë ankesë si të palejueshme.
Vendimi për certifikimin e Listës Serbe ka qenë i diskutueshëm, duke pasur parasysh retorikën nacionaliste nga drejtuesit e kësaj partie.