LAJME

PZAP e shpall të pasafatshme ankesën e LVV-së për përsëritje të votimit jashtë vendit

PZAP e shpall të pasafatshme ankesën e LVV-së për përsëritje të votimit jashtë vendit
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2025, 16:54

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka shpallur si të pasafatshme ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.

Në arsyetimin e vendimit të PZAP-së thuhet se LVV kishte pretenduar se më 05.03.2025, ditën e përmbylljes së procesit të numërimit dhe rinumërimit të fletëvotimeve, komisionerë dhe vëzhgues të kësaj partie kishin “identifikuar në vazhdimësi gjatë këtij procesi parregullsi të shumta”.

“Nga informatat tona të mbledhura dyshojmë që në listën e votuesve jashtë vendit janë rreth 1.700 persona të regjistruar me e-mail adresa që janë përdorur më shumë se katër herë, kurse në dhjetëra raste deri në 22 herë”- thuhet ndër të tjera në ankesën e LVV-së bërë në PZAP.

Në lidhje me këtë pretendim të LVV-së, PZAP thotë se ankesa “është shpallur e pasafatshme sepse pala ankuese (LVV), këtë parregullsi, ka mundur ta paraqes në momentin që e ka kuptuar shkeljen”.

Edhe për listën votuese për të cilën Vetëvendosje ka pretenduar parregullsi, PZAP thotë se LVV nuk ka paraqitur ankesë për të që nga koha kur është certifikuar lista përfundimtare e votuesve në muajin janar, duke humbur kështu afatet ligjore.

Vendimin e plotë të PZAP mund ta gjeni KËTU./Kallxo.com/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika