Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar se rishikimi i teksteve shkollore dhe shtimi i numrit të inspektorëve arsimorë do të ndikonte pozitivisht në rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Duke komentuar Raportin e Bashkimit Evropian për arsimin në Kosovë, Pupovci ka thënë të enjten se raporti është sinjal që shoqëria kosovare dhe organet kompetente të mobilizohen në përmirësimin e cilësisë.
“Ky është sinjal që të mobilizohemi si shoqëri e edhe organet kompetente, nisur nga Ministria e Arsimit dhe shkollat për përmirësimin e cilësisë së arsimit, pasi në qendër të vëmendjes vjen cilësia. Ne jemi të vetëdijshëm se s’po arrijmë ta adresojmë këtë si duhet”, ka thënë Pupovci në “60 Minuta” të KTV-së.
Pupovci është shprehur se BE-ja po kërkon që tekstet shkollore të zëvendësohen dhe të përfshihet një sistem që tekstet të jenë pa gabime të mëdha. Duke folur për inspektorët e arsimit, Pupovci ka shtuar se Kosova i ka vetëm 21 të tillë, e që sipas tij ky është numër shumë i ulët.
“Ne i kemi 21 inspektorë të arsimit, ndërsa i kemi rreth 23.000 mësimdhënës. Numri i inspektorëve ka rënë në mënyrë rapide dhe dy herë po dështon konkurs për punësimin e inspektorëve. Nëse nuk i ndërtojmë kapacitetet që t’i kemi 100 inspektorë për t’i kryer këto punë, ajo masë s’mund të zbatohet. Secili vit ndahen mbi 6 milionë euro për këtë, por është viti i dytë që ato para nuk shpenzohen”, ka thënë ai.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit në Kosovë, ka të interesuar për detyrën e inspektorit të arsimit, por kjo po dështon “për shkak të gabimeve administrative”.
Ai ka thënë se në kushtet e sotme, secila klasë në Kosovë duhet të ketë kompjuterë, projektorë dhe pajisje të tjera si harta, globe për t’i konkretizuar njohuritë.