Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka vendosur që të shtyjë marrjen e vendimit për nisjen e protestës.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se po i japin afat Qeverisë që të reflektojë lidhur me kërkesën e tyre për shtesa.
“Njoftoi opinionin dhe punëtorët e sektorit privat të Kosovës se protesta për të cilën është dashur që sot të merret vendim, që të fillohet javën tjetër, vendimi do të merret javën tjetër … Ne edhe një javë po i japim mundësi, po i japim afat Qeverisë së Kosovës që kërkesën tonë ta shqyrtojë mirë, të reflektojë mirë”, ka theksuar Azemi.
Shtyrja e marrjes së vendimit për protesta, sipas tij është bërë me kërkesë të një pjese jo të madhe të shoqatave
“Mbi 80 për qind të shoqatave janë pro protestave, por nuk po duam që as 20 për qindëshi të mbetet jashtë, na kanë kërkuar që të presim një javë, mendojmë që është më e arsyeshme që kur të hyjmë, të hyjmë të gjithë së bashku”, ka deklaruar Azemi.
Kërkesa për shtesa edhe për punëtorët e sektorit privat vije, pasi që Qeveria e Kosovës në masat për ta luftuar inflacionin, ka ndihmuar punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro për tre muaj rresht.
Me nga 100 euro janë ndihmuar pensionistët, ndërsa 100 euro u janë premtuar edhe studentëve dhe punonjësve të ndërmarrjeve publike.