LAJME

Publikohen të dhënat për religjionin në Kosovë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë

Publikohen të dhënat për religjionin në Kosovë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Dhjetor 2024, 11:38

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë.

Bazuar në këto rezultatet Kosova ka 1,602,515 banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 Kosova kishte 1,739,825 banorë.

Sipas rezultateve krahasuar me vitin 2011 grupmosha 0-14 vjeç ka pësuar ulje prej 6.07%, grupmosha 15-64 vjeç ka shënuar rritje prej 1.83%, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar rritje prej 4.26%.

Sipas rezultateve në vitit 2011 mosha mesatare ishte 29.97 vjet, kurse tani mosha mesatare e popullsisë është 34.84.

Rezultatet tregojnë se mosha mestare e femrave është 35.66 ndërsa e meshkujve 34.03.

Sipas rezultateve struktura fetare e Kosovë dominohet nga besimi islam, ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.

Bazuar në rezultate 93.49% e popullsisë i përkasin besimit islam, 2.31 atij ortodoks, 1.75 atij katolik, të asnjë besimi janë deklaruar 0.5%, përgjigje për përkatësinë fetare nuk kanë dhënë 1.5% ndërsa të besimeve të tjera janë deklaruar 0.45%.

Në këtë proces regjistrimi për herë të parë janë regjistruar edhe dëmet e luftës.

Bazuar në të dhënat e publikuara gjatë luftës janë vrarë 11 mijë e 417 persona, të zhdukur janë 1047 persona, të plagosur 6682 persona dhe të burgosur 3312.

Në anën tjetër shkalla rurale është zvogëluar nga 62% në vitin 2011 në 49.8% në vitin 2024.

Sipas rezultateve për herë të parë popullsisë urbane (50.2%) e kalon atë rurale (49.8%).

Ky ndryshim sipas ASK-së tregon një lëvizje të popullsisë drejt zonave urbane.

Bazuar në rezultatet e publikuara, krahasuar me vitin 2011, kur është bërë regjistrimi paraprak, ka një rritje prej 21.5% në numrin e ndërtesave, banesave dhe shtëpive.

“Numri i banesave të përgjithshme po ashtu është rritur shumë, krahasuar me vitin 2011, për 41%, po ashtu dhe numri i banesave të zakonshme është rritur për 35%. Kjo lë të kuptohet se ndërtimi në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje masive”, ka theksuar drejtori i ASK-së, Avni Katrati, gjatë prezantimit të të dhënave.

Të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8 për qind, ndërsa numri i banesave me qira në forma tjera mbetet shumë i ultë, përkatësish 5.3 dhe 1.2%.

Numri i ekonomive familjare është rritur për 69 mijë e 505 apo për 23.4%.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika