LAJME

Publicisti Hasani reagon ndaj deklaratës së ministres serbe: Gjuha e urrejtjes po krijon pasiguri te shqiptarët e Luginës së Preshevës

Publicisti Hasani reagon ndaj deklaratës së ministres serbe: Gjuha e urrejtjes po krijon pasiguri te shqiptarët e Luginës së Preshevës
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Korrik 2026, 10:15

Publicisti dhe veprimtari, Refik Hasani, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si pjesë të një serie deklaratash fyese dhe, sipas tij, me gjuhë urrejtjeje, racizmi dhe ksenofobie ndaj shqiptarëve.

Sipas Hasanit, deklarata e Paunoviqit nuk është rast i izoluar, por vazhdimësi e retorikës së zyrtarëve të lartë serbë. Ai rikujton edhe një deklaratë të mëhershme të Ana Brnabiqit, aktualisht kryetare e Parlamentit të Serbisë dhe ish-kryeministre, të cilën e citon: “Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim.” Po ashtu, ai pretendon se në qytete të ndryshme të Serbisë vazhdojnë të shfaqen pankarta dhe grafite me mbishkrime si: “Vdekje shqiptarëve”.

Hasani vlerëson se deklarata e ministres serbe përbën nxitje të urrejtjes dhe kërcënim, jo vetëm ndaj Republikës së Kosovës, por edhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Sipas tij, pasojat më të rënda psikologjike i ndjejnë shqiptarët autoktonë të Luginës së Preshevës, përkatësisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ai shpreh shqetësimin se deklarata të tilla, të kombinuara me retorikën politike dhe mesazhet publike me përmbajtje urrejtjeje, krijojnë ndjenjë pasigurie dhe frike tek qytetarët shqiptarë të kësaj treve.

Në reagimin e tij, Hasani thekson se statusi politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës mbetet ende i pazgjidhur, duke iu referuar Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, kryengritjes së UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit. Sipas tij, moszgjidhja e kësaj çështjeje vazhdon të prodhojë tensione dhe pasiguri për popullsinë shqiptare në këtë rajon.

Ai gjithashtu shpreh frikën se deklarata të tilla mund të interpretohen si mesazhe kërcënuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke shtuar se ato ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të banorëve, sidomos të të rinjve dhe kuadrove të arsimuara.

Sipas Hasanit, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc vazhdojnë të jetojnë në kushte diskriminimi, ndërsa klima e pasigurisë, sipas tij, nxit emigrimin, shpërnguljen dhe asimilimin e popullsisë shqiptare.

Në fund të reagimit, ai u bën thirrje faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë praninë dhe monitorimin në Luginën e Preshevës. Hasani pretendon se Serbia po zbaton një strategji të heshtur të shpopullimit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke përmendur si shembull procesin e pasivizimit të adresave, të cilin ai e konsideron një formë të organizuar të spastrimit etnik administrativ.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika