Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti, me qëllim të verifikimit identifikimit, dhe sekuestrimit të provave relevante, në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që kanë çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarëve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B. Me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: ‘Cenim i të drejtave të autorit’, nga neni 290 i KPRK-së dhe ‘Shpëlarja e parave’, nga neni 302 i KPRK-së” – thuhet në njoftim.





