Partia Socialdemokrate ka realizuar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, ku vendosën disa kafazë brenda të cilëve kishin vendosur mikrofonët, në shenjë revolte ndaj situatës me mediat në Kosovë.
PSD theksoi se kryeministri Kurti i do mediat e mbyllura, të kufizuara, të disiplinuara, të varura dhe pa imagjinatë.
“Jo vetëm pa kritikë, por edhe pa sens për kritikë. T’i këpusim shqisat. Kafazi është hapësira që ua ka nda. Sulmi ndaj mediave është me paramendim. Caku që pushteti aktual ka vënë merr me vete krejt çka i del përpara, deri në mbërritje. Të paktën këtë e dëshiron. E kësaj nuk i shpëtojnë dot as mediat, siç nuk i shpëtuan as mësimdhënësit, as sindikatat, as tregimi për UÇK-në. E gjithë shoqëria është në shënjestër. Një vetëdije e re po tentohet të mbjellët, dhe kjo përmes falsifikimeve”, u tha gjatë aksionit.