Proton Cable Prizreni e ka shokuar Sigal Prishtinën duke e mposhtur me rezultatin 94:91. Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll dhe u zhvillua në praninë e pak shikuesve, të dielën mbrëma në Prizren. Sfida u vendos pas vazhdimit prej pesë minutave.
Në fund të vazhdimit, Fisnik Rugova tentoi për tri pikë, por nuk realizoi. 23 sekonda para fundit, Edmond Kryeziu realizoi dy gjuajtje të lira për epërsinë 94:91 të vendasve. Donte Clark i Prishtinës dështoi në sulmin kur Prizreni ishte para 92:91. Ai shkaktoi faul në Kryeziun, që ishte i saktë në dy gjuajtjet e lira.
Pikët e tij dolën vendimtare. Clark kishte gjuajtjen e fundit në çerekun e katërt, kur rezultati ishte 81:81. Por nuk realizoi dhe ndeshja shkoi në vazhdimin prej pesë minutave. Thuajse e gjithë ndeshja ishte e barabartë dhe kështu vendosi aksionin final.
Urim Zenelaj shkëlqeu te Proton Cable Prizreni me 23 pikë e nëntë kërcime. Isaiah Kelly i kishte 18 pikë e 12 kërcime. Ivan Koleviq kontribuoi në fitore me 18 pikë e shtatë asistime, ndërsa Ty Cockfield i kishte 12 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime. Te Prishtina, që ka synime të mëdha këtë edicion, Shaheed Davis i kishte 22 pikë e pesë asistime.
Malcolm Armstead realizoi 21 pikë, ndërsa Henrik Shirko i kishte 15 pikë e gjashtë kërcime. Prishtina është e treta në tabelë me 36 pikë. E pësoi humbjen e tetë të edicionit. Prizreni është i parafundit me 29 pikë. Ka shtatë fitore e 15 humbje.