Vojislav Milovançeviq, gazetari i gazetës serbe “Nova”, i cili e ka parë dokumentin e Gjermanisë dhe të Francës ku propozohet modeli i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, thotë për N1 se, sipas burimeve nga Brukseli, presidentit serb Aleksandar Vuçiq i është thënë gojarisht se nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së, Serbia do të bëhej menjëherë anëtare e BE-së.
Vetë dokumenti, shton ai, përmend hyrjen e përshpejtuar të Serbisë në BE, por nuk specifikon data specifike.
Milan Kërstiq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, thotë se propozimi bazohet në modelin e dy Gjermanive dhe nënkupton se Beogradi pajtohet me hyrjen e Kosovës në OKB, por nuk e njeh atë zyrtarisht.
“Kam përshtypjen se ky është momenti kur do të duhet të marrim një vendim, sepse çdo ofertë e mëvonshme do të jetë më e keqe se ajo që kemi marrë tani”, thotë Millovançeviq, por ai dyshon se presidenti serb do ta pranojë këtë marrëveshje, shkruan N1, transmeton Zeri.info.
Kërstiqi shpjegon se nëse Kosova anëtarësohet në OKB, njohja e Serbisë nuk do të ketë më rëndësi thelbësore për ta dhe kujton se dy Gjermanitë nuk e kanë njohur kurrë njëra-tjetrën zyrtarisht, edhe pse të dyja ishin anëtare të OKB-së.
Në fakt, siç shton ai, me pranimin në OKB, Kosova merr njohje serioze të jashtme, është “një shtytje serioze për Prishtinën dhe marrjen e asaj që dëshiron”.
I pyetur nëse dokumenti përmend formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Millovançeviqi përgjigjet “jo”, por thotë se nënkupton zbatimin e gjithçkaje të rënë dakord në Bruksel, ku përfshihet edhe AKS-ja.
Sa i përket nëse Rusia dhe Kina, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe deri më tani kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, do të vënë veton ndaj vendimit për anëtarësim të Kosovës në OKB, Kërstiqi mendon se nëse Beogradi do të pajtohej me një zgjidhje të tillë, është e mundur që as Rusia nuk do të ishte kundër, e Kina ndoshta do të abstenonte.
Ai vlerëson gjithashtu se evropianët ndoshta do të heqin dorë nga disa çështje thelbësore “nëse marrin një zgjidhje për çështjen (e Kosovës), të cilën ata e perceptojnë si ndikim rus në rajon”.
Kërstiqi nuk mendon se thjesht hyrja në BE për Serbinë do të ishte një zgjidhje, “sepse anëtarësimi është shumë më tepër një rrugë në të cilën ju reformoheni, dhe Serbisë, siç është tani, do t’i duhen të paktën pesë vjet për të zbatuar reformat e mbetura”.
Millovançeviqi beson se propozimi i Gjermanisë dhe Francës duhet të shkojë në referendum dhe se pyetja mund të jetë: “A jeni për anëtarësim të përshpejtuar në BE dhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Kërstiq nga ana tjetër thotë se, sipas një ankete, në këtë moment shumica e qytetarëve serbë do të ishin kundër.
Sipas anketës, 46 për qind e qytetarëve kanë cilësuar interesat ekonomike si interesa kombëtare dhe po aq mendojnë se anëtarësimi në BE është një interes i rëndësishëm kombëtar. Rreth 23 për qind e qytetarëve besojnë se interesat politike janë të një rëndësie kombëtare, ku përfshihet edhe “ruajtja e Kosovës” dhe e “Republikës Srpska”.
Megjithatë, 59 për qind nuk do të sakrifikonin interesat ekonomike për hir të atyre politike, dhe dy të tretat besojnë se Vuçiqi po punon në përputhje me interesat kombëtare dhe e vetmja temë tabu do të ishte njohja formale e Kosovës. /Zëri