Në Ministrinë e Shëndetësisë sot është promovuar pulla postare “Heronjtë mantel-bardhë”, kushtuar punëtorëve shëndetësorë që kanë humbur jetën pas infektimit me COVID-19.Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kjo iniciativë është ndërmarrë me qëllim të nderimit të të gjithë profesionistëve shëndetësorë që humbën jetën nga COVID-19, por edhe në shenjë mirënjohje ndaj atyre që po vazhdojnë angazhimin e tyre në luftimin e pandemisë.Zemaj tha se përmes kësaj pulle postare do të shpaloset mundi dhe sakrifica e mantel-bardhëve që kanë bërë e po bëjnë për trajtim e pacientëve të prekur me koronavirus.
“Kemi marrë një iniciativë, iu kemi dërguar një kërkesë Postës së Kosovës si institucioni kredibil i pullave postare që të kemi një pullë postare dedikuar heronjve mantel-bardhë. Kjo pullë postare do të tregojë mundin, sakrificën, përkushtimin e mantel-bardhëve që kanë bërë dhe po bëjnë në trajtimin e pacientëve me COVID-19”, tha ai.
Kryeshefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi tha se përmes kësaj pulle postare po tentohet sensibilizimi i shoqërisë në mbrojtje nga COVID-19. Për profesionistët shëndetësorë që e humbën betejën me koronavirus, ai tha se janë humbje e madhe për shëndetësinë kosovare.“Përmes kësaj pulle postare që Posta e Kosovës e ka përkrahur iniciativën dhe kërkesën e ministrit Armend Zemaj për sensibilizimin e opinionit publik dhe qytetarëve të Kosovës në mbrojtje nga infeksioni nga COVID-19. Vitin e kaluar ishim një nga administratat e para në botë që përmes pullës postare sensibilizuam opinionin publik për zbatim të masave antiCOVID, të përcaktuara nga IKSHP dhe organizatat e shëndetësisë. Në kushtet që tani gjendet shëndetësia jonë, barra e shëndetit të popullatës ka rënë në super e mantel-bardhëve. Mjekët dhe personeli shëndetësor për punën e bërë dhe sakrificën, meritojnë emërtimin heronj. Në përpalljen me virusin disa nga specialistët dhe personeli shëndetësor flijuan edhe jetën. Kosova sot është varfëruar nga humbja e humanistëve të pashoq”, tha ai.
Mirënjohës për promovimin e kësaj pulle postare u shpreh infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmeti i cili tha se stafi shëndetësor në të gjitha nivelet ka punuar me vetëmohim.“Ne e marrim këtë si një mirënjohje për punën e mantel-bardhëve që kanë dhënë gjatë një viti në përballje me pandemi. Mendoj se stafi mjekësor i të gjitha spitaleve kanë bërë një punë të vetëmohueshme, ku disa kolegë tanë fatkeqësisht në këtë përballje e kanë përfunduar edhe me humbjen e jetëve të tyre për çka ne ndihemi të pikëlluar. Gjatë kësaj pandemie kemi mësuar shumë gjëra, ndër to fakti që edhe në situata shumë të vështira gjithmonë rezultatet nuk mungojnë”, u shpreh Ahmeti. /KP/